Lidhje

Gashi, thirrje banorëve në Kosovë të regjistrohen, pavarësisht përkatësisë etnike


Liza Gashi, zv/ministre e Jashtme e Kosovës
Liza Gashi, zv/ministre e Jashtme e Kosovës

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zëvendësministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Liza Gashi, u bëri thirrje qytetarëve, pa dallim etnie, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe diasporës.

Kosova e nisi këtë proces më 5 prill dhe ai pritet të zgjasë deri më 17 maj.

Sipas zonjës Gashi deri tani janë regjistruar rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës në kuadër të platformës e-diaspora si dhe falë regjistrimit fizik.

E pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me thirrjet e Listës Serbe për bojkotim të procesit nga ana e qytetarëve të komunitetit serb, zonja Gashi tha se regjistrimi po vijon normalisht në çdo cep të territorit të vendit dhe se deri tani sipas saj, autoritetet nuk kanë ndeshur në rezistencë.

Zëri i Amerikës: Kosova prej rreth 3 javësh po kryen procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të diasporës, procese që nuk janë kryer prej vitesh. Fillimisht le të ndalemi tek regjistrimi i popullatës në vend, si po shkon ai?

Liza Gashi: Po është e vërtetë që Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin e popullsisë dhe pjesëtarëve të diasporës jashtë vendit. Brenda këtyre ditëve sa ka filluar procesi, që ka filluar në datën 5 prill dhe do të vazhdojë deri në 17 maj, ne kemi rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës të cilët janë regjistruar në kuadër të platformës e-diaspora dhe regjistrimi fizik. Kështu që, për fillimet e para, ky proces është duke vijuar shumë mirë dhe synimi jonë është që të gjejmë forma të informojmë qytetarin tanë brenda dhe jashtë vendit rreth procesit dhe rëndësisë së procesit sepse është një proces shumë i rëndësishëm dhe jetik për Republikën e Kosovës sepse me një format përcakton politikat tona për 10 vitet e ardhshme. Si qeveri e Republikës së Kosovës jemi shumë të fokusuar që të gjitha politikat që ndërtojmë për të ardhmen të jenë të bazuara në të dhëna dhe këto të dhëna na kanë munguar për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, sidomos në fushën e diasporës, që është një prej dikastereve i ndërlidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Zëri i Amerikës: Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të procesit të regjistrimit të popullatës, a është për ju shqetësuese një gjë e tillë dhe çfarë pasojash mund të sillte potencialisht mos-regjistrimi i qytetarëve të komunitetit serb për Kosovën?

Liza Gashi: Regjistrimi i popullsisë për shtetasit e Republikës së Kosovës është i detyrueshëm me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë që të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë. Në këtë drejtim, unë kam informacione nga Agjencia e Statistikave të Republikës së Kosovës që regjistrimi po vijon në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe për të gjitha minoritetet në Republikën e Kosovës. Prandaj nuk e shoh shumë sfidues, përkundrazi shfrytëzoj rastin edhe një herë t’i ftoj qytetarët, të gjithë minoritetet në Kosovë që të jenë pjesë e regjistrimit, sepse regjistrimi është i përgjithshëm, është për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim domethënë etnie kështu që është shumë e rëndësishme që ata të jenë pjesë e regjistrimit, sepse këto të dhëna realisht janë për të dizajnuar politika më të mira për jetën e tyre në vendin tonë.

Zëri i Amerikës: Kur thatë që është i detyrueshëm dhe sikundër e parashikon dhe ligji do ketë ndëshkime për ata që nuk pranojnë të regjistrohen?

Liza Gashi: Po, sipas ligjit, regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare realisht, Agjencia e Statistikave të Kosovës më andej procedon tutje me pjesën e ndëshkimit në kuadër të procesit, mirëpo deri tani nuk kemi pasur ndonjë rezistencë sa i përket pjesës së regjistrimit dhe ne shpresojmë që ky proces deri në datën 17 maj të vazhdojë në këtë mbarëvajtje me këtë rritëm, sepse vazhdimisht kemi rritje të numrit, për shembull ta zëmë se në 10 ditët e para kur kemi zbatuar platformën e-diaspora, në kuadër të regjistrimit të diasporës kemi patur rreth 180 mijë qytetarë, tani kemi kaluar shifrën e 300 mijë qytetarëve të Republikës së Kosovës që janë të regjistruar në kuadër të platformës dhe formës fizike. Mirëpo, Agjencia e Statistikave, javën e kaluar në kuadër të një komunikate diskutoi edhe për numrat në Kosovë të cilat e kanë kaluar 40 për qindëshin e popullsisë së Republikës dhe ky proces do të vazhdojë deri më datën 17 maj dhe është shumë i rëndësishëm që çdo qytetar të kuptojë që ky regjistrim i popullsisë është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e tyre dhe të jetë pjesë e procesit për shkak që me pjesëmarrjen e tyre në kuadër të regjistrimit të popullsisë, që është edhe obligim kushtetues, realisht ata i ofrojnë mundësinë politik-bërësve që të dizajnojnë politika të bazuara në të dhëna.

Zëri i Amerikës: Zonja Gashi, po ndalem edhe një herë te çështja e diasporës, tek regjistrimi për herë të parë on-line i tyre, a besoni se do të arrini që të keni shifra të sakta, reale për shqiptarët nga Kosova që jetojnë jashtë vendit?

Liza Gashi: Realisht ky është një proces shumë i shkurtër, i drejtpërdrejtë dhe një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët tonë në çdo cep të botës që të regjistrohen. Unë shpresoj shumë që të gjithë ata që marrin informacione në kuadër të regjistrimit të popullsisë të kenë mundësinë të regjistrohen në platformë sepse është hera e parë, është tentativa e parë. Realisht Kosova në kuadër të një regjistrimi vullnetar, ka patur një tentativë në vitin 2012 mirëpo është shumë i rëndësishme që qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por edhe pjesëtarët e diasporës, sepse regjistrimi i popullsisë për jashtë vendit nuk është vetëm për shtetasin e Republikës, por është për pjesëtarin e diasporës. Edhe ata pjesëtarë të cilët nuk e kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë ndërlidhje me Kosovën, janë të mirëseardhur të jenë pjesë e regjistrimit. Këtu ka patur një interesim, por është shumë e rëndësishme që të kuptohet që regjistrimi është vetëm një bazë e parë e të dhënave dhe më andej, në kuadër të këtyre të dhënave që ata vendosin në kuadër të platformës, ne synojmë që të ngremë kapacitetet, kapacitetet jo vetëm sa i përket shërbimeve konsullore që ofrojmë nëpër vende të ndryshme të botës, por edhe të dizajnojmë politika mbi institutet e kulturës, gjuhës, mbi kërkesat që ata kanë në të ardhmen. Prandaj ashtu si çdo format në fakt i politik-bërjes, pa një bazament të mirë të të dhënave është shumë e vështirë që të ndërtohet një politikë e mirë, e cila është gjithëpërfshirëse, e cila ofron mundësi të reflektojë mbi kërkesat e komunitetit. Prandaj unë po shfrytëzoj edhe një herë rastin t’u kërkoj të gjithë bashkatdhetarëve që të regjistrohen në kuadër të e-diasporës sepse përmes regjistrimit ose përmes dedikimit të 10 minutave kohë në kuadër të platformës ata na japin një mundësi të mirë të ndërtojmë politika të qëndrueshme mbi bazën e të dhënave të tyre.

Zëri i Amerikës: Dje Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një bisede me kryeministrin Kurti theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Komentet vijnë vetëm pak javë nga një votim i mundshëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. A pritet të ketë hapa konkretë nga qeveria juaj sikurse mund të ishte edhe dërgimi i statutit të bashkësisë ndërkombëtare dorëzuar tashmë autoriteteve në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese?

Liza Gashi: Qeveria e Republikës së Kosovës ka luajtur një rol shumë konstruktiv në kuadër të dialogut me Serbinë. Në këtë dialog ne kemi një marrëveshje e cila është e obligueshme për të dyja anët, prandaj ne si qeveri e Republikës së Kosovës kemi kërkuar nga pala serbe mbi 5 herë që ta nënshkruajë këtë marrëveshje dhe të kemi një plan të sekuencimit për të zbatuar marrëveshjen. Fatkeqësisht pala serbe deri tani jo vetëm që nuk ka zbatuar marrëveshjen më andej mendoj që pala serbe deri më tani ka shkelur disa herë marrëveshjen. Prandaj kërkesa jonë e vetme në kuadër të këtij rrugëtimi është që marrëveshja të zbatohet në tërësi, nga artikulli i parë deri në artikullin e fundit dhe nuk do të duhej të kishte artikull të veçantë i cili i jepet përparësi karshi të gjithë marrëveshjes. Kështu që në këtë drejtim ne presim që përmes ndërmjetësuesve të kemi një trajtim të barabartë, por edhe të shohim domethënë edhe pjesën e shkeljes të marrëveshjes. Rasti i Këshillit të Evropës është rasti më i mirë për të parë se si pala serbe e ka shkelur marrëveshjen dhe pala serbe duhet të japë llogari për shkeljen e marrëveshjes, në kuadër të këtij drejtimi. Ne si Republikë e Kosovës besojmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimi i Kosovës...Asambleja Parlamentare që ka qenë faza e dytë e këtij procesi ka dhënë një verdikt shumë të qartë, kemi 131 parlamentarë që kanë dhënë votën pro për anëtarësimin e Kosovës sepse besojmë që në 75 vjetorin e jubilesë së Këshillit të Evropës, Kosova si vend i 47 në kuadër të Asamblesë do të ishte një lajm shumë i mirë për demokracinë, një lajm shumë i mirë për kontinentin e Evropës, por mbi të gjitha, një mundësi për të pasur qasje tek drejtësia evropiane.

XS
SM
MD
LG